Veliaj: Në Bashkinë e Tiranës ka vetëm një stinë: stina e punës!

17/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e këndit të 11 të lojërave në kryeqytet në zonën e “Ali Demit”. Kreu i bashkisë Erion Veliaj tha se ky kënd do të jetë veçse argëtim për fëmijët, dhe hapësirë shlodhëse për më të rriturit.

“Ky është këndi i lojërave numër 11 dhe besoj që teksa të gjithë janë futur në stinën e dimrit dhe të festave, dua të garantoj qytetarët se në Bashkinë e Tiranës ka vetëm një stinë, që është stina e punës. Pavarësisht nëse ka festa apo është fundi i vitit, për ne është gjithmonë një fillim i ri dhe një mundësi e re për t’i bërë gjërat për së mbari. Në këtë zonë kemi një hapësirë, e cila fatmirësisht është ruajtur dhe shpallur park; është një hapësirë fantastike sidomos për moshat e treta, por ajo që bëjmë sot është se rehabilitojmë dhe e plotësojmë me një hapësirë ekskluzive për fëmijët”, tha Veliaj.

Ai theksoi se puna e nisur me këtë kënd është përgjigja më e mirë ndaj të gjitha debateve dhe një ogur i mirë për vitin e ardhshëm.

“Pas këndit të lojërave te liqeni, besoj se mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur gjithë histerisë dhe paranojës është vetëm puna; puna ka qenë përgjigja jonë këtë vit dhe me punë duam ta mbyllim. Besoj se hapja e këtij fronti të ri, i cili do të mbarojë për një muaj, do të jetë një nisje e mirë e vitit tjetër për fëmijët”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se ndërtimi i këndeve të lojërave ka për qëllim jo vetëm të krijojë mundësi argëtimi për fëmijët, por edhe për t’i krijuar atyre kushte për t’u marrë me aktivitete fizike.

Top Channel