Euroleague, CSKA e Moskës nuk njeh rivalë

17/12/2016 00:00

CSKA e Moskës vazhdon të tregojë forcën e saj në Euroleague. Skuadra kampione e Europës këtë radhë iu imponua Barcelonës teksa e mposhti me rezultatin 92-76.

Katalanasve iu duhej ndeshja perfekte ndaj CSKA së Moskës dhe në një farë mënyre ata ia dolën në 20 minutat e para, të cilat u mbyllën me vetëm 2 pikë diferencë. Në dy periodat e tjera, skuadra ruse vendosi përfundimisht diktatin e saj për të mbyllur edhe këtë sfidë si dhe për të ruajtur e qetë kreun e klasifikimit me 11 fitore dhe vetëm 1 humbje. Për Barcelonën gjërat janë shumë të vështira duke qene se kjo skuadër pozicionohet në vendin e 11, jashtë zonës së “play off”-it.

Panathinaikos fitoi sfidën greko-turke ndaj Fenerbahces me rezultatin 81-70. Skuadra greke ishte në kryesimin e sfidës për pjesën më të madhe të kohës, me përjashtim të periodës së dytë të saj ku Fenerbahce bëri diçka më mirë. Për grekët e Panathinaikos spikati Nick Calathes me 16 pikë, ndërsa për Fenerbahce, 21 pikët e James Nunnally nuk mjaftuan për të evituar disfatën.

Në ndeshjen tjetër të Euroleague, Galatasaray fitoi ndaj Olimpias me rezultatin 83-80.

Top Channel