Alibeaj: Prokuroria dhe KQZ të zbatojnë pa zvarritje dekriminalizimin

17/12/2016 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama se po pengon dekriminalizimin, ndërsa i bën thirrje KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojnë ligjin pa zvarritje.

“Zbulimi nga media i rastit të deputetit të madhorancës, Shkelqim Selami, i cili ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qëniesh njerëzore, tregon edhe një herë pse Edi Rama nuk e do dekriminalizimin, e pengon atë, dhe nuk është i gatshëm ta zbatojnë. Ndërkohë që Europa e ka theksuar, e ka vënë tek kushtet e vendit tonë për integrimin europian, Edi Rama nuk bën asnjë përpjekje për aplikimin e dekriminalizimit, për ndarjen me krimin, me personat me të shkuar kriminale që i ka në parlament, në bashki e në zyra qendrore”, deklaroi në një komunikim për shtyp Enkelejd Alibeaj.

Ai tha se Edi Rama vazhdon kontratën e tij me krimin ne të gjitha format dhe nuk ka ndërmend të ndahet prej tij. “Jo vetëm nuk shkarkon Rroshin, të cilit ia quajti publikisht të mbyllur shërbimin kur i doli dënimi në Itali për përdhunim, por jep letra rekomandimi për kreun e bandës në Durrës, Lulzim Berisha, dhe del se po pasuron radhët me anëtarë të rij të klubit të krimit, me deputetë si Selami”, vijon Alibeaj.

Është koha për pastrimin e politikës nga krimi, tha ai.

Top Channel