Tragjedia e Aleppos, më e madhja e kohëve moderne

16/12/2016 00:00

Aleppo do të hyjë në fjalorin global të turpit. Sipas “Wall Street Journal”, qyteti sirian dikur në lulëzim, si dhe popullata e tij po shndërrohen në një rrënojë masive.

Analistët thonë se konflikti në qytet mes forcave qeveritare, besnike të presidentit Bashar al-Assad që kanë edhe mbështetjen ajrore ruse, dhe luftëtarëve të opozitës ka hyrë në fazën përfundimtare të tij.

Për shumëkënd, tmerri i jetës së përditshme në Aleppo është i paimagjinueshëm. Por, për të tjerë ka një ndjesi të tmerrshme “deja-vu”-je. 20 vite më parë, shtetet e Ballkanit sapo kishin filluar të mendonin për rimëkëmbjen, pas përfundimit të një prej konflikteve më të egra në historinë e Europës.

Rrethimi i viteve ’92-’95 i Sarajevës ishte një ngjarje që nuk mund të shlyhet nga mendjet e njerëzve. Gjatë konfliktit në Bosnje, forcat serbe u pozicionuan në kodrat përreth Sarajevës dhe qëllonin mbi ushtarët dhe civilët e bllokuar. 11 mijë vetë humbën jetën. Rrethimi zgjati 1.400 ditë dhe lufta nga 1992-shi deri në 1995-n.

Njerëzit që jetojnë në Sarajevë, sot u kërkojnë kryeqyteteve në mbarë botën të tregojnë solidaritet me qytetarët e Aleppos. Banorët e kryeqytetit boshnjak, pjesa më e madhe e të cilëve i mbijetuan rrethimit më të gjatë në historinë moderne të Europës, po ashtu u kërkojnë fuqive botërore të ndalin masakrat në Siri.

Komiteti i “Kryqit të Kuq Ndërkombëtar” i ka cilësuar luftimet në Siri, si një prej konflikteve më shkatërrimtare në kohët moderne. “Kostoja njerëzore në Aleppo është tmerrësisht e lartë. Ne u kërkojmë të gjitha palëve të ndalin shkatërrimet, sulmet dhe vrasjet”.

Sipas qendrës për dokumentimin e dhunimeve në Siri, mes 19 korrikut 2012 dhe 15 dhjetorit 2016 janë shënuar 31.010 viktima, prej të cilëve 22.633 burra; 2.849 gra; 3.773 djem; 1.775 vajza. E gjithë kjo në 4 vite luftime. 76 për qind e viktimave janë civilë dhe 24 për qind ushtarakë.

Edhe këto mbeten shifra të përafërta, pasi për një bilanc të saktë nuk mund të flitet ende. Sidoqoftë në prill, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Sefan de Mistura përllogariste se të paktën 400 mijë vetë ishin vrarë në Siri, që nga nisja e konfliktit në 2011-n.

Top Channel