Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni e ndërpreu seancën publike, ku shqyrtoheshin ankesat nga partitë politike “LSDM” dhe “BESA” për votimet e 11 dhjetorit.

Deri më tani, Komisioni ka refuzuar 7 nga 8 kërkesat e ankesat e “Lëvizjes BESA”, ndërsa për pretendimin e fundit të saj është parashikuar që një grafolog të bëjë ekspertizë të nënshkrimit të një votueseje.

KSHZ-ja diskutoi të enjten edhe 4 nga 8 ankesat e “LSDM”-së opozitare, të cilat i refuzoi. E gjithë puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është zhvilluar nën presion dhe në situatë të tensionuar, raporton “Deutsche Welle”.

Para godinës së tij ishin mbledhur militantë të “VMRO-DPMNE”-së së Nikola Gruevskit për të parandaluar – siç thanë, – vjedhjen e fitores së saj. Përpara tubuesve mbajtën fjalime anëtarë dhe zyrtarë të larte të kësaj partie, ndërsa nuk munguan as ofendimet në drejtim të shqiptarëve me fjalët “Shqiptarët e mallkuar”, madje edhe duke kërcënuar me gjakderdhje nëpër rrugë.

Mësohet se funksionari i lartë i “VMRO-DPMNE”-së, Filip Petrovski ka kërcënuar edhe ambasadorin amerikan Jess Baily, duke i thënë të largohet e nga vendi e të mos lëshojë më provokime.

“Në Maqedoni fitoi populli maqedonas”, ishte deklarata e Petrovskit. “Ne nuk lëvizim që këtu, derisa të shpallni fitoren”.

Analistët politikë vendas e kanë cilësuar si të patolerueshëm presionin që po ushtrohet mbi Komisionin e Zgjedhjeve. Ata mendojnë se “VMRO-DPMNE”-ja e ka instaluar presionin e rrugës si metodën më të re, e njëherazi më efikase të veprimit politik, që prej organizimit të antitubimit të parë.

Sipas afateve ligjore, Komisioni Zgjedhor duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare 10 ditë pas përfundimit të votimit.

Top Channel