Rëndimi i trafikut, Policia Rrugore: Shkak emigrantët dhe punimet

16/12/2016 00:00

Policia Rrugore ka njoftuar këtë të premte se, për t’i bërë ballë situatës së rënduar në trafikun rrugor në Tiranë ka aktivizuar shërbime shtesë, të cilat veç të tjerash janë të angazhuara edhe për parandalimin e aksidentit.

Përmes një deklarate për shtyp, policia ka bërë me dije se trafiku në kryeqytet është rritur ndjeshëm për shkak të ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit.

“Për shkak të festave të fundvitit, është shtuar ndjeshëm numri i mjeteve që hyjnë në Tiranë nga qytetet e tjera apo që kanë hyrë në Shqipëri nga vendet e tjera të rajonit apo BE. Gjatë kohëve të fundit, janë mbi 20.000 mjete nga qytete të ndryshme që hyjnë e dalin në qytetin e Tiranës”, thuhet në deklaratë.

Por emigrantët duket se nuk janë i vetmi shkak për këtë rëndim të trafikut, që është shoqëruar me bllokime për intervale të gjata kohore. “Një numër i madh rrugësh dhe sheshesh janë të bllokuara për shkak të festave ose punimeve në rrugë”, nënvizohet në reagimin për shtyp.

Me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve ‎dhe lehtësimin e lëvizjes së mjeteve, Policia Rrugore u ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit që të shmangin në maksimum lëvizjet me automjet në qytetin e Tiranës, veçanërisht në zonat e banuara dhe në këto akse:

Rruga “Teodor Keko” me rrugën e Kavajës;

Rruga “Konferenca e Pezës” me Rrugën “Teodor Keko”;

Rruga e Kavajës në të dy senset, nga ish-shkolla Teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”;

Rruga “Muhendin Llagami” me Bulevardin “Gjergj Fishta”;

Bulevardi “Bajram Curri” me Rrugën “Ali Elezi”;

Rruga “Siri Kodra”, nga ish-frigoriferi deri tek Selvia dhe kryqëzimi me rrugën e Dibrës;

Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Nikolla Lena”;

Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Adem Kruja”;

Rruga “Myslym Shyri” me degëzimin e rrugës “Ibrahim Rrugova”;

Rruga “Komuna e Parisit” deri tek kompleksi “Kodra e Diellit”;

Gjithë degëzimet e rrugës të cilat lidhen me sheshin “Skënderbej”;

Bulevardi “Zhan D’ark” me Rrugën e Elbasanit.

Top Channel