“Venecia” s’ka internet, Dede: Nuk na ka ardhur akoma opinioni

16/12/2016 00:00

Komisionit të Venecias nuk i punon interneti. Kjo është arsyeja përse Gjykata Kushtetuese ende ka marrë një vendim për ligjin e Vetting-ut. Deklarata shokuese ka ardhur nga kreu i gjykatës, Bashkim Dede.

Ai thotë se po pret variantin fizik të opinionit, që Top Channel, Partia Demokratike dhe qeveria e kanë që prej 12 dhjetorit. Por Dede thotë se vendimi është gati.

“Ndonëse të gjithë thonë se e ka sjellë Komisioni i Venecias, edhe sot e kësaj dite opinioni nuk ka ardhur në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi kërkuar zyrtarisht, por s’kemi ende një përgjigje zyrtare. Ne kemi komunikuar dhe dje dhe sot me Venecian dhe më është kthyer përgjigje që ka patur një problem teknik që nuk e kanë dërguar. Them unë ta nisin që sot në rrugë elektronike dhe manuale”, ka thënë Dede.

Ai ka theksuar se, gjykatës nuk i duhet bërë presion dhe se nuk është gjyqsori ai që pengon integrimin e vendit.

“Ka presion direkt për faktin se çdo ditë në media, shtyp, Parlament e portale thuhet se gjykata zvarrit qëllimisht reformat, është bllokuese e integrimit, se gjyqtarët janë të kësaj apo asaj natyre, të lidhur me kriminelë, etj. Ka një ligj që do t’i sqarojë këto gjëra bashkë me strukturat mbështetëse, ku secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë e gjithçka është, nga gjyqtarët e Kushtetueses deri tek gjyqtarët dhe prokurorët e thjeshtë. Ai që e ka bërë vendin dhe do ketë përgjegjësi t’i nënshtrohet drejtësisë, të dënohet, të shkojë në ferr. Ai që është i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj punës patjetër që duhet të vlerësohet”, ka thënë Dede.

Top Channel