Tahiri: Balili i pashpresë, sulmet e SHQUP-it, të turpshme

16/12/2016 00:00

Pas deklaratave të ditës së sotme nga Partia Demokratike se prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Tahiri i cilëson shpifje deklaratat e Partisë Demokratike, ndërsa shton se Balili është peshqesh ajo parti.

“Trimat e Shqup-it vazhduan edhe sot te nxjerrin llumin e godinës së tyre për të njollosur Policinë e Shtetit. Përsëri akuzuan Policinë dhe mua personalisht për mosarrestimin e Klement Balilit. Dua t’ju them sot se ashtu si gjithë llumin e Lazaratit e të drogës, të krimit të organizuar e të korrupsionit në polici e gjetëm nuk e sollëm ne, po e trashëguam nga ju, edhe Klement Balilin nga ju e kemi peshqesh! Shpifjet tuaja për shëtitjet e tij nëpër plazhe e nëpër Tiranë apo fotomontazhet e qytetareve tuaj dixhitale me gjoja Balilin mbi jahte nën mbrojtjen e policisë, nuk na kanë penguar po na kanë motivuar edhe më shumë në ndjekjen e këtij krimineli në kërkim”, shkruan Tahiri.

Më tej, ministri i Brendshëm i cilëson sulme të turpshme deklaratat e PD-së ndaj Policisë së Shtetit.

“Unë e pranoj çdo kritike dhe jam gati të jap llogari për çdo rast mossuksesi të përkohshëm siç është edhe rasti i Klement Balilit, po refuzoj të degjoj me respekt këto sulme të turpshme ndaj Policisë së Shtetit e ndaj meje apo kryeministrit tim personalisht!”, shkruan Tahiri.

Ministri i Brendshëm thotë se Klement Balili nuk ka asnjë shpresë t’i shpëtojë arrestimit sado të fshihet skutave e ferrave të zonës, ku ka vendosur t’i beje rezistence forcës së ligjit. “Është i mbaruar dhe fundi i tij do të jetë aty ku kanë përfunduar shumë të tjerë përpara tij. Por po ashtu, asnjë shpresë nuk kanë as trimat e Shqup-it që i tremben Vettingut si djalli temjanit dhe as ndonjë fjalimxhi me gjuhën e nepërkës në Parlament që i trembet humbjes së sigurt të karriges së deputetit!  Këta janë vetëm aktorët e një maskarade të pambarimte kundër Policisë së Shtetit dhe përgjigjen do ta marrin në 18 qershor të vitit që po vjen bashkë me ndëshkimin e tyre më të rëndë popullor!”, mbyllet postimi Tahirit.

Top Channel