Kosovë, Mustafa kërkon ndihmën e BE-së për të ndaluar Gjuriçin

16/12/2016 00:00

Për vizitën e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili ka hyrë në Kosovë pa lejen e institucioneve të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa theksoi se veprimet e tij janë shumë të ulëta, sepse nuk mund të hyhet në një shtet në mënyrë ilegale.

“Më pengon pak, që ne të merremi tani me Gjuriçin për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Për ne është totalisht i parëndësishëm. Ndërsa veprimet e tij janë shumë të ulëta, sepse nuk hyhet në një vend në mënyrë ilegale. Ne do të kërkojmë nga Bashkimi Europian që mos të lejojë më sjellje të tilla”, tha Mustafa gjatë hapjes së një qendre tregtare në Ferizaj.

Ndërsa shefja e BE-së për Kosovën, Natalya Apostolova, ditë më parë kishte kritikuar qeverinë për neglizhencën e emërimit të ministrit të ri të Integrimit. Për këtë, kryeministri tha se do të kenë shumë shpejt propozimin dhe se do të kryhet emërimi për ministrin e ri.

Top Channel