Pamela Anderson, mbrojtësja e flaktë e kafshëve

16/12/2016 00:00

Aktorja e kthyer në aktiviste të zëshme të mbrojtjes së kafshëve, Pamela Anderson vizitoi Kremlinin, ku e priti përfaqësuesi i posaçëm presidencial për Mjedisin, Ekologjinë dhe Transportin, Sergei Ivanov, si dhe drejtori ekzekutiv i Fondit Ndërkombëtar për Natyrën, Azzedine Downes.

“E mbështesim plotësisht punën tuaj. Objektivi ynë është një bashkëpunim shumë i ngushtë, konkret e i frytshëm. Besojmë me forcë se potenciali për zhvillimin e marrëdhënieve tona është shumë i madh”, tha Sergei Ivanov, përfaqësues presidencial i Mjedisit në Rusi.

Kjo nuk është hera e parë, që shqetësimi për jetën e egër e çon aktoren e njohur amerikane në Moskë. Ajo është takuar edhe përpara një viti me Ivanovin, po në Kremlin, e gjatë Forumit Ekonomik të Lindjes shtatorin e 2015-s vizitoi dhe Vladisvostokun, ku ndau me pjesëmarrësit mendimet e saj mbi ndryshimet e klimës.

Gjatë bisedës së fundit me zyrtarin e lartë rus, Anderson e krahasoi tokën me një anije hapësinore së cilës për të mbijetuar i nevojitet një sistem, që të mbështesë jetën, e sigurisht edhe ekuipazhi.

“Njerëzit nuk sillen si anëtarë ekuipazhi, por si pasagjerë që kujdesen shumë të argëtohen e të hanë si të babëzitur”, tha Pamela Anderson, aktore dhe aktiviste.

Ylli i “Baywatch”-it u ftua fillimisht në Rusi vitin e kaluar, pas një letre të hapur drejtuar presidentit Putin, ku i kërkonte bllokimin e një anijeje mallrash me 1.700 tonë mish balene, që shkonte drejt Japonisë.

Top Channel