Tsipras kërkon mbështetje në Berlin. Merkel: Solidaritet për refugjatët

16/12/2016 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri grek, Alexis Tsipras, gjatë një takimi në Berlin kanë provuar dhe kanë pohuar përsëri se, vërtet bisedimet dypalëshe nuk kanë qenë asnjëherë të thjeshta, por kanë qenë të hapura dhe të qëndrueshme.

Edhe kësaj here, Merkel nuk ka marrë asnjë qëndrim nëse vendimi i Athinës, që u dha shpërblime pensionistëve, ishte në përputhje me marrëveshjen e shpëtimit, duke deklaruar se vendimet nuk merren në Berlin, por në Bruksel, dhe e ka lënë topin në fushën e institucioneve europiane.

“Greqia ka nevojë të dërgojë një sinjal të fortë për investitorët ndërkombëtarë se kriza tashmë i përket së kaluarës”, ka deklaruar Tsipras. Dhe duke dashur të shpjegojë vendimin për pensionet, që irritoi institucionet europiane, ka theksuar se Athina më në fund po plotëson gjithçka, se objektivat ekonomike po tejkalohen dhe se kjo do të ndihmojë për të shëruar plagët e krizës.

“Vizioni ynë është që ky zhvillim mos të ketë të bëjë vetëm me statistika dhe shifra, por të shërojë plagët e krizës dhe të ndihmojë të gjithë ata që bënë sakrifica të mëdha, në emër të Europës dhe në emër të stabilitetit europian”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

“Greqia nuk duhet lënë vetëm në përballimin e krizës së refugjatëve”, ka theksuar nga ana e saj Kancelarja Merkel, që ka kërkuar njëkohësisht më shumë punë nga ana e autoriteteve për procedurat.

Vizita e Tsiprasit në Berlin bëhet në një moment, kur – sipas “Deutsche Welle”-s, – nëse zhvillimet në ekonominë greke, si borxhi dhe reformat, nuk marrin një rrugë pozitive, është e sigurtë se përsëri fjala “Grexit” do të hyjë fuqishëm në axhendën e fushatës elektorale në Gjermani, fjalë të cilën Merkel dhe Schauble kërkonin ta shmangnin patjetër.

Top Channel