Festat e fundvitit shijohen më mirë me patinazh

16/12/2016 00:00

Plot 2.700 metrat katrorë të saj e bëjnë pistën më të madhe jo të përhershme të mbyllur të patinazhit në botë, atë të “Grand Palais” në Paris.

E frymëzuar nga skica të vjetra të kryeqytetit francez dhe Moskës në dimër, pista çeli dyert për ata që duan të shijojnë rrëshqitjen në akull gjatë festave të fundvitit.

“I shikoni këto kupola të mrekullueshme të Grand Palais, të bëra me hekur e çelik? Ideja na lindi nga skicat e fillimshekullit, ku mund t’i shihje njerëzit duke patinuar poshtë urave të Moskës, ose brigjeve të Parisit”, tha Olivier Maurey, shef ekzekutiv i “the Luderic Group”.

Mbi 100 punëtorë u angazhuan për ndërtimin e pistës dhe instalimin e sistemit të ndriçimit e atij të zërit nëpër të gjithë strukturën. 3.000 palë patina në ngjyrë portokalli të ndezur janë në dispozicion të vizitorëve, ku përfshihen dhe fëmijët, të cilëve u është rezervuar një hapësirë e posaçme.

Kur vjen fjala te risitë, nuk ka mbetur pas edhe Rusia, që ka vendosur një pistë patinazhi në majën e një qiellgërvishtësi 354 metra të lartë. Të rrëshqasësh në akull mes reve në një lartësi të tillë është vërtet një eksperiencë unike.

Në frymën e festave mbërrin dhe mesazhi i Santa Clausit nga shtëpia e tij në Lapland të Finlandës: Jepini një dorë ndihmë atyre që kanë nevojë! Popullariteti i babagjyshit, sipas ndihmësve të tij elfë, vazhdon të mbetet i lartë e çdo vit merr gati gjysmë milioni letra nga e gjithë bota.

Top Channel