Takimet drithëruese të të evakuuarve nga lindja e Aleppos

16/12/2016 00:00

Gëzimi i banorëve të Aleppos, që arritën të largohen nga qyteti me valën e parë të shpërnguljeve përpara se evakuimi të ndalonte sërish, është i papërshkrueshëm.

Pas mbërritjes në enklavën rebele “Rashideen” në perëndim të qytetit, njerëzit u janë hedhur në qafë miqve e të afërmve që i prisnin atje. Videoja e njërit prej këtyre takimeve drithëruese bëri xhiron e botës, duke përcjellë sa euforinë e shpëtimit nga ferri i dhunës dhe vdekjes, aq edhe dramën e thellë të një populli të detyruar të marrë arratinë.

“Evakuimi nuk na trishton. Një herë fiton diçka në jetë, një herë tjetër do të humbësh. Sot sytë e të gjithë botës janë drejtuar mbi një qytet të quajtur Aleppo”, tha një banor.

“Na vranë, na masakruan, na bombarduan me avionë. Kemi dalë nga poshtë gërmadhave”, tha një banore.

“Unë kam dezertuar nga ushtria. E di që e kam vënë veten time në rrezik të madh, por nuk dua t’i dorëzohem qenve të Assadit”, tha një ushtar.

Evakuimi në Aleppo u ndërpre sërish nga qeveria e Assadit, që pretendon se rebelët nuk kanë respektuar kushtet e armëpushimit, të cilat parashikonin heqjen e rrethimit të tyre nga dy fshatra proregjimit.

Plot 6.000 vetë arritën të largoheshin nga qyteti më i madh i Sirisë, por OKB-ja beson se janë rreth 50 mijë të tjerë që kanë mbetur të bllokuar atje. “Gjysmëhëna e Kuqe” turke ka nisur vendosjen e 10 mijë tendave në qytetin sirian të Idlibit për refugjatët e Aleppos, e po përgatitet gjithashtu të rrisë kapacitetin e kampeve të tjera ekzistuese.

Ndalimi i evakuimit ka nxjerrë në protestë në qytetet turke me qindra vetë, të cilët kanë ngritur zërin sa kundër Iranit, ashtu edhe ndaj Shteteve të Bashkuara, mbështetës të palëve kundërshtare në këtë konflikt.

Top Channel