Prokuroria e Durrësit, rekurs kundër lirimit të Lul Berishës

16/12/2016 00:00

Pak ditë pasi Gjykata e Apelit dha liri me kusht për Lulzim Berishën, prokuroria kërkon rikthimin e tij në burg me anë të një rekursi të dorëzuar në Gjykatën e Lartë.

Organi i akuzës kundërshton vendimin e shkallës së dytë me argumentin e natyrës së rëndë të veprave penale, për të cilat Lulzim Berisha u shpall fajtor.

Më tej prokuroria i thotë Gjykatës së Lartë se gjykatat kanë ulur në mënyrë të pajustifikuar disa herë dënimin ndaj 45-vjeçarit dhe kanë llogaritur gabim kohën e mbetur të burgimit.

Një ditë më parë Prokuroria e Përgjthshme njoftoi hapjen e hetimeve për shpërdorim detyre për gjyqtarët e përfshirë në praktikën gjyqësore dhe administrative të drejtuesve në Bashkinë e Durrësit, në bazë të të cilave iu dha më pas liria me kush 45-vjeçarit.

Lulzim Berisha u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata e Lartë, pasi u arrestua në Maqedoni në vitin 2006. Prokuroria thotë se Berishës i kishin mbetur nga pjesa e pavuajtur dhe 6 vjet, 2 muaj e 22 ditë burgim.

Por ndërsa tashmë për Berishën bashkia ka dalë garante për punësimin e tij, deputetët demokratë të qarkut Durrës dhe anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak të këtij qytetit kanë depozituar në Kryeministri kërkesën zyrtare për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako, për shkeljet e rënda të ligjit duke favorizuar lirimin nga burgu të Lulzim Berishës.

Në këtë shkresë, ata argumentojnë se jashtë rasteve të parashikauara në ligj, Dako ka garantuar punësimin e Berishës.

“Dako ka kryer shkelje të rënda duke lëshuar vërtetim për punësim pa u mbështetur në asnjë ligj të Republikës së Shqipërisë. Për këto arsye kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të tij nga posti i kryetari të Bashkisë së Durrësit”, thuhet në shkresën e depozituar në Kryeministri.

Top Channel