“Balili”, Manjani tregon letrat

16/12/2016 15:20

Ministria e Drejtësisë tregoi gjithë korrespondencën me Prokurorinë e Përgjithshme, Krimet e Rënda si dhe me Ministrinë e Drejtësisë greke për dokumentacionet për çështjen ndaj Klement Balilit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, letra e parë daton 7 muaj më parë, më 11 maj 2016, me kërkesën që Prokuroria e Krimeve i dërgon Ministrisë së Drejtësisë për ndihmë juridike autoriteteve greke për Klement Balilin.

Po në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë ia ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Drejtësisë greke. Në datën 17 maj, zyra e Interpol Tiranës njofton për shpalljen në kërkim të Klement Balilit. Më 25 maj iu dërgua autoriteteve greke sërish kërkesa për letër-porosinë e ardhur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Përgjithshme. Më pas, nga data 25 maj 2016 deri më 14 nëntor 2016, sipas Ministrisë së Drejtësisë nuk ka patur asnjë përgjigje nga autoritetet greke.

Më 14 nëntor mbërrin në Ministrinë e Drejtësisë shqiptare materiali i ekzekutimit të letër-porosisë nga autoritetet greke dhe po në të njëjtën ditë Ministria e Drejtësisë ia ka dërguar materialin për administrim Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme. Në datën 16 nëntor, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar kopje të materialit ndaj Balilit Ministrisë së Drejtësisë me qëllim përkthimin e plotë të tij.

Materiali i përkthyer i është dërguar sërish Prokurorisë së Krimeve të Rënda në datën 6 dhjetor të këtij viti, për të vijuar më pas me procedurat që ndjek organi i akuzës. E gjithë kjo procedurë ka zgjatur plot 7 muaj, po aq sa tha edhe ambasadori amerikan Donald Lu se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar autoriteteve shqiptare arrestimin e të akuzuarit për trafik droge, Klement Balili.

Aksioni për kapjen e tij ka vijuar, por pa sukses.

Top Channel