Luis Suarez rinovon, 200 mln euro për ta shkëputur nga Barça

16/12/2016 00:00

Luis Suarez do të qëndrojë te Barcelona edhe për disa sezone të tjerë. Uruguajani rinovoi kontratën me klubin katalanas deri në vitin 2021, lajm që u zyrtarizua nga kampionët e Spanjës në pasditen e së enjtes.

Në kontratën e re të Suarez është përfshirë edhe klauzola për zgjidhjen e saj për një shifër prej 200 milionë Euro.

Luis Suarez ka zhvilluar 116 ndeshje me fanelën e Barcelonës duke shënuar 97 gola. Uruguajani, që u transferua në Spanjë në 2014 për një vlerë prej 81 milionë Eurosh, ka qenë protagonisti kryesor në fitoren e 8 titujve nga ana e Barcelonës në 2 sezonet e fundit. Vitin e kaluar ai fitoi Këpucën e Artë pasi e mbylli kampionatin spanjoll me 40 gola të shënuar.

“Rinovimi i kontratës me Barcelonën është më shumë se një dhuratë për mua. Kjo ishte ajo që donim unë dhe klubi, pasi raportet mes nesh janë të shkëlqyera. Te Barcelona të gjithë e dinë se ndihem shumë mirë dhe më në fund e arritëm marrëveshjen”, tha Suarez.

Rinovimi i kontratës së Suarez u bë 2 muaj pas atij të Neymar. Tani për Barcelonën mbetet për t’u zgjidhur vetëm çështja e kontratës së Lionel Messit për të cilin nuk mungojnë klubet që janë gati të bëjnë çmendurira për kartonin e tij. Së fundmi në listë është shtuar emri i skuadrës kineze Hibei, e drejtuar nga Manuel Pelegrini. Sipas Sky Sports, Hibei është gati t’i ofrojë argjentinasit një kontratë 5-vjeçare për 500 milionë euro që do të thotë se më këtë propozim, Messi përfiton një pagë 100 milionë Euro në sezon.

Top Channel