Benzema, pranë procesit gjyqësor

16/12/2016 00:00

Benzema do të duhet të përgatitet për kohë të vështira. Sulmuesi francez i Realit të Madridit, i përfshirë në skandalin e shantazhit ndaj Valbuenës për një video erotike, ka shumë të ngjarë që të shfaqet në sallën e gjyqit për t’iu nënshtruar një procesi.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, Gjykata e Versajës e refuzoi kërkesën e bërë nga Benzema për anulimin e procesit gjyqësor, apel i bërë duke u bazuar në disa parregullsi në përgjimet telefonike që kanë përfshirë edhe sulmuesin transalpin.

Avokatëve të Benzema, pas këtij refuzimi të beftë, u mbetet vetëm një kartë në dispoziocion për të shfrytëzuar në mënyrë që Benzema të evitojë uljen në bankën e të akuzuarve, apeli në Gjykatën e Kasacionit.

Karim Benzema akuzohet si bashkëpunëtor në shantazhin që iu bë Valbuenës për videon erotike në vitin 2015. Sipas Priokurorisë, Benzema mori rolin e ndërmjetësit mes shokut të tij të skuadrës te Franca dhe personave që e shantazhonin në mënyre që Valbuena të bënte pagesën e kërkuar për të evituar publikimin e asaj videoje, një akuzë që është mohuar nga futbollisti francez.

Përfshirja në këtë skandal i kushtoi shtrenjtë Benzema në aspektin sportiv, pasi ai është lënë jashtë përfaqësueses që nga dhjetori i vitit të kaluar. Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të Federatës Franceze për mundësinë e rikthimit te tij në kombëtare, Deschamps ende nuk e ka grumbulluar atë.

Top Channel