Shokët e Ilir Kupës, nis gjyqi ndaj Klement Çalas

16/12/2016 00:00

Klement Çala, një prej të arratisureve nga burgu i Trikallasë në Greqi, do të gjykohet për vepra të rënda penale në Shqipëri. Dosja u transferua nga Greqia në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri dhe tashmë është gati për gjykim.

Klement Çala, 28 vjeç nga Elbasani, ishte pjesë e grupit pjesëmarrës në një nga arratisjet më të bujshme në shtetin grek të ndodhur në vitin 2013.

Pas një lufte më shumë se 30 minuta mes disa personave të armatosur dhe gardianëve të burgut, ai mundi të largohej nga tarraca së bashku me Ilir Kupën dhe Fatos Sulajn.

Pavarësisht se policia greke ndërmori aksione të shumta për kapjen e tyre për ditë të tëra, Klement Çala arriti të hyjë në Shqipëri së bashku edhe me të burgosurit e tjerë të arratisur.

Ai u arrestua dy vjet më vonë. Në qershor të 2015-s, ai ra në prangat e Policisë së Vlorës, gjatë një operacioni të koduar streha e fundit i shoqëruar nga një tjetër person me precedentë të rënda penale. Nga hetimet rezulton se Çala ishte pjesë e grupit organizator që hapën zjarr mbi gardianët grekë dhe arratisjes se bujshme.

Ai ndodhej i burgosur për akuzën e vrasjes, krijimit të organizatave kriminale, vjedhjes me dhunë dhe zjarrvënies së qëllimshme.

Në Shqiperi ai do t’i nënshtrohet procesit penal nën akuzat e vrasjes me dashje të punonjësit të policisë greke, e mbetur në tentativë, largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe armëmbajtjes pa leje.

Top Channel