Sulmet kibernetike, Obama premton masa ndaj Rusisë

16/12/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama është zotuar të marrë masa kundër Rusisë për ndërhyrjen e kësaj të fundit në fushatën e zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Moska i mohon akuzat për sulme kibernetike kundër Partisë Demokratike dhe një aleati kyç të Hillary Clintonit, e gjithashtu presidenti i zgjedhur Donald Trump i ka cilësuar si qesharake e të motivuara politikisht pretendimet.

Por agjencitë e inteligjencës thonë se kanë në duar prova bindëse që vërtetojnë lidhjen e hakerave me Kremlinin. Për herë të parë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e përmendi Vladimir Putinin si të përfshirë drejtepërdrejtë në sulme.

Pak orë më vonë presidenti në largim tha: “Mendoj se nuk ka dyshime se kur një qeveri e huaj përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona ne duhet të veprojme, dhe do ta bëjmë”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se disa nga veprimet që do të ndërmarrin do publikohen, të tjera ndoshta jo. Ende nuk është e qartë se çfarë masash ka ndërmend SHBA, ndërsa Obama pritet të largohet nga detyra në 20 janar, duke ja lënë vendin një udhëheqësi pro Putinit.

Zbulimi i e-maileve vuri në një situtatë aspak të rehatshme Partinë Demokratike në një pikë vendimtare të fushatës elektorale. CIA arriti në përfundimin se motivacioni i Rusisë ishte të devijonte zgjedhjet në favor të republikanit Trump, por deri më tani nuk i ka bërë publike provat.

Për manjatin e pasurive të paluajtshme akuzat ishin thjesht përpjekje për të fshehur turpërimin pas humbjeve në zgjedhje. Trump nuk e ka fshehur adhurimin e tij për Putinin dhe emërimi i mikut të vjetër të presidentit rus, Rex Tillerson si sekretar shteti ka ngritur shqetësime të mëdha.

Top Channel