Një taksist u gjet i vrarë rreth mesnatës së të enjtes, në anë të një rruge me shkurre në fshatin Rrethgreth të Kavajës. 65-vjeçari Idriz Karriqi ishte deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij prej 2 ditësh.

Policia arrestoi pas disa orësh 24-vjeçarin Musa Saraçi, si autor i dyshuar për vrasjen, e cila ka pasur si motiv grabitjen. Saraçi, banues në Gosë të Rrogozhinës, njihet si person problematik për policinë lokale dhe përdorues i lëndëve narkotike. Pas denoncimit të familjarëve të Karriqit për humbjen e kontakteve me të që në datën 14 dhjetor, policia u vu në lëvizje.

Në ndihmë i kanë ardhur personat që e kanë parë për herë të fundit Karriqin, mëngjesin e së mërkurës në sheshin para spitalit të Kavajës, ku punonte si taksist.

Në deklarimet e para, Saraçi ka pohuar se qëllimi i tij ka qenë vjedhja e mjetit dhe parave të taksistit dhe se e ka vrarë dhe hedhur në rrugë për të fshehur gjurmët e krimit. Pasi e ka goditur me thikë taksistin, ka marrë automjetin Mercedes Benz dhe e ka shitur te një pikë varreze makinash për 27 mijë lekë.

Uniformat blu vunë në pranga edhe pronarin esaj, Alush Batusha, i cili akuzohet për përvetsim të parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, pasi nuk ka mbajtur asnjë dokument që vërtetonte pronësinë e mjetit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel