Në Burrel nuk “lind” dot

15/12/2016 00:00

Materniteti i Burrelit, i cili mbulon nevojat e rreth 50 mijë banorëve, për muaj me radhë ka munguar mjeku gjinekolog. Nënat e reja të detyruara nga ky fakt udhëtojnë për çdo emergjencë drejt maternitetit të Lezhës dhe Tiranës.

Kjo nuk është një gjë e re për këtë spital. E njëjta situatë ka qënë edhe para një viti, ku gjinekologu mungoi për rreth 3-4 muaj. I intervistuar nga gazetarët e Fiksit, drejtori i spitalit, Dritan Neli pohon se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë pritet që të lidhin një kontratë me një mjek gjinekolog. Në kontratë i është përcaktuar edhe bonusi prej 100.000 lekësh.

Kryeinfermierja e maternitetit, Eglantina Bushi shprehet se nuk ka pacientë në spital “përderisa nuk kemi mjek, nuk na lejohet të shtrojmë asnjë grua”. Ajo tregon se dikur në këtë maternitet ka pasur rreth 1000 lindje, por që numri sa vinte e ulej derisa shënohet edhe numri më i vogël i lindjeve në periudhën gusht-shtator, vetëm 8 lindje, kjo si rrjedhojë e mungesës së mjekut gjinekolog.

Gazetarët e Fiksi iu drejtuan maternitetit në orët e mbrëmjes për të parë gatishmërinë e stafit dhe kushtet në të cilat presin nënat që mund të kenë situata emergjente. Dera e maternitetit është e mbyllur, një mami ua hap dhe i shoqëron nëpër maternitet. Dhomat janë bosh, asnjë pacient nuk ndodhet në spital, të sapolindur jo e jo.

Dëshira Stafasani, mamia e turnit shprehet: “Jemi tre veta në staf. Kur ka raste urgjente i nisim drejt Tiranës ose Lezhës. Në rast se gruaja lind këtu në kërkojmë edhe ndihmën e mjekut të rojës edhe pse nuk është specialist, gjinekolog”.

Ajo pohon se ka pasur edhe raste që ndërsa e transportonin gruan shtatzënë me ambulancë për në Lezhë , ajo ka lindur rrugës, e më vonë në spital ka marrë ndihmë më të specializuar.

“Pa mjek puna jonë është shumë e vështirë. Eshtë në dorën e Zotit!” shprehet mamia.

Top Channel