Shtëpia e Bardhë: Putin autorizoi sulmet kibernetike në zgjedhje

15/12/2016 00:00

Administrata e presidentit Obama e ka bërë tashmë fakt, edhe pse pa prova: Presidenti rus Vladimir Putin ka autorizuar personalisht sulmet kibernetike ndaj llogarive “e-mail” të zyrtarëve demokratë gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale.

Madje Shtëpia e Bardhë shtoi se ishte “fakt”, edhe që këto sulme ndihmuan fushatën e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Por akuza nuk mjafton me kaq. Shtëpia e Bardhë bëri edhe një sulm befasues ndaj vet Trumpit, duke thënë se ai mund të ketë qenë në dijeni të ndërhyrjes së Rusisë.

Megjithatë, asnjë provë nuk u dha për këto akuza, të fundit e një serie që ka turbulluar tranzicionin shqetësues të Amerikës, nga 8 vitet nën drejtimin e presidentit demokrat Barack Obama, te një administratë e re republikane e udhëhequr nga Trump. Pretendimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhje kanë shtuar edhe më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës mbi çështje të tilla si Siria, Ukraina dhe një sërë mosmarrëveshjesh të tjera.

Pasi një raport i “NBC Neës” citoi zyrtarë të shërbimeve sekrete të drejtonin gishtin e akuzës specifikisht ndaj Putinit, Sekretari për Shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest vuri sërish në dukje një vlerësim të muajit tetor nga komuniteti amerikan i inteligjencës, që thoshte se “vetëm zyrtarët më të lartë të Rusisë munden të autorizojnë të tilla aktivitete”. Earnest tha se referenca “drejtuesit më të lartë” nuk ka ndonjë vështirësi të madhe për t’u analizuar. “Është shumë e qartë”, tha ai.

Akuza shpërthyese e ditës së sotme e “pikturon” udhëheqësin e vendit, ndoshta armiku më i madh gjeopolitik, si minues të demokracisë amerikane. Gjithsesi, asnjë zyrtar amerikan nuk ka pretenduar deri më sot se Trump do të ishte mposhtur nga Hillary Clinton në zgjedhjet e 8 nëntorit, nëse nuk do të kishte ndikuar asistenca e Rusisë.

Kremlini e refuzoi kategorikisht pretendimin e përfshirjes së Putinit, teksa zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov e konsideroi këtë të enjte si “absurditet qesharak”.

Top Channel