Futbolli “i ndotur” me teknologji

15/12/2016 00:00

Do të kujtohet mbi të gjitha si turneu i sistemit VAR, Video Assistant Referee që bëri Botërorin e klubeve të flitej shumë në vetëm dy ditë që nisi të aplikohej moviola në fushë.

Në finalen e turneut japonez kaluan Reali i Madridit dhe Kashima Antlers por më shumë bujë po bën teknologjia që po cilësohet si ndotëse për futbollin, sesa vetë loja në fushë.

Eksperimentimi me pamjet filmike që u aprovua nga FIFA në muajin mars, u testua fillimisht në miqësore, por u bë vendimtare në ndeshjen Atletico Nacional Kashima.

Arbitri Kasai vendosi për penallti për një kontakt mes Berrio dhe Nishi dhe faulli ishte totalisht, por ajo që harroi arbitri ishte një pozicion jashtë loje që çmontonte të gjithë skemën.

Shumë tifozë dhe lojtarë po pyesin veten nëse është më mirë me teknologjinë që po zbeh spektaklin apo me gabimet njerëzore. Polemikave iu shtua rasti me Realin e Madridit. Ronaldo shënoi në kohën shtesë dhe festoi, por një thirrje e sistemit të videos shkaktoi anulimin e golit. Gjithçka u pezullua për pak çaste deri në rikthimin e vlefshmërisë së golit, një kaos që lojtarët “galaktikë” nuk munguan ta nënvizojnë.

“Arbitrimi me video nuk më pëlqen pasi këtë nuk mund ta quash futboll. Shpresoj se eksperimentimi do të ndalet me kaq”, tha mesfushori Luka Modric.

Kështu moviola që duhej të zgjidhte problemet në futboll, po rrezikon të krijojë edhe më shumë e kur kjo ndodh në Botëror, shumë imagjinojnë se ç’mund të bëhet në ligat e treta apo të katërta.

Top Channel