Besiktas kërkon Hykën

15/12/2016 00:00

Forma e mirë e Jahmir Hykës me fanellën e skuadrës së Luzernës ka zgjuar interesin e shumë agjentëve që vibrojnë në tregun fubollistik europian, gati të aktivizojnë klauzolat e ndryshme në merkaton e këtij janari.

Mesfushori i kombëtares kuqezi është vënë në javët e fundit në shënjestrën e një ekipi prestigjioz si Besiktas që është thuajse në çdo sezon pjesëmarrës në grupet finaliste të kupave europiane.
 
Loja që ka shfaqur Jahmir Hyka në kampionatin helvetik me Luzernën ka impresionuar drejtuesit e klubit të Stambollit që përvijuan kontaktet zyrtare me ekipin zviceran. 28-vjeçari ka një kontratë që e lidh me Luzernën edhe për 6 muaj të tjerë.

Përballë emergjencës për ta humbur me parametra zero në qershor, aksionerët e Lucernës po mendojnë që ta largojnë Jahmir Hykën që në ditët e para të janarit drejt Stambollit.

I lindur në Tiranë në 8 Mars 1988, Hyka ka provuar deri më tani 4 kampionate të ndryshme veç atij shqiptar. Ai ka luajtur te Rozenbirgu në Norvegji, te Majnz në Gjermani, te Panionios në Greqi dhe prej 5 vjetësh te Lucerna në Zvicër.

Top Channel