Nis evakuimi në Aleppo. Të sëmurët dhe të plagosurit largohen të parët

15/12/2016 00:00

Konfirmimi mbërrin nga Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar: autokolona e parë e autoambulancave dhe autobusëve të përdorur për evakuimin e njerëzve në Aleppo ka dërguar të plagosurit në zonat rurale të kontrolluara nga rebelët në perëndim të qytetit, e është kthyer për të marrë grupin e dytë.

Operacioni i shumëpritur, më në fund ka marrë udhë. Pamjet e 13 ambulancave dhe 20 autobusëve, që dilnin në radhë njëri pas tjetrit nga qyteti i rrënuar, u transmetuan në televizionin shtetëror sirian. Në mbërritje, të shpërngulurit i prisnin ekipet mjekësore, të palëkundura nga raportet e të shtënave të mëhershme me snajperë që plagosën 3 vetë, përfshirë këtu një punonjës të rëndësishëm të ndihmës.

“Me valën e parë u larguan rreth 1.000 vetë, shumica e të cilëve civilë”, sqaron Kryqi i Kuq, që po e mbikëqyr evakuimin së bashku me “Gjysmëhënën e Kuqe arabo-siriane”.

Këshilltari i OKB-së për Çështjet Humanitare në Siri, Jan Egeland flet për tri faza të nismës, të cilat përfshijnë largimin e të sëmurëve e të lënduarve, civilëve më të cënueshëm dhe luftëtarëve opozitarë.

“Janë me mijëra, ata që duhet të largohen prej këtej, – thotë zyrtari i lartë. – Por fillimisht do të merremi me nevojat më urgjente, siç janë të plagosurit, të sëmurët e fëmijët, ndër të cilët edhe jetimët”.

Ndërkohë, duke cituar burime nga Ministria e Brendshme në Moskë, agjencia ruse e lajmeve “Tass” njofton se Rusia ka nisur evakuimin e 5.000 rebelëve sirianë dhe familjarëve të tyre përmes një korridori humanitar 20 km të gjatë.

Një mësues në lindje të Aleppos, në radhë edhe ai si shumë të tjerë për t’iu larguar vendlindjes së kthyer tashmë në ferr, flet për emocione të përziera mes banorëve. “Një pjesë janë të zemëruar që detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre dhe gjithçka që kanë njohur në këtë jetë, – tha ai për “The Guardian”, – ndërsa të tjerë janë të lumtur që dhuna më në fund ndaloi”.

Top Channel