BE, frazë boshe për Sirinë. Udhëheqësit: Të përdoren të gjitha opsionet

15/12/2016 00:00

Në samitin e Bashkimit Europian janë hedhur në tryezë tema për bisedime, që fillojnë nga Siria deri te sanksionet kundër Rusisë. Ferrit të Aleppos i është rezervuar vetëm një frazë boshe në draftin e takimit: Të përdoren të gjitha opsionet.

Presidenti francez, François Hollande kërkon t’i shkohet deri në fund nismës së armëpushimit e të lejohet evakuimi i civilëve dhe i të plagosurve.

“Armëpushimi është kusht që evakuimi të vazhdojë, e pikërisht këtë duhet të kërkojë Këshilli Europian. Pushimzjarrin, largimin e popullatës civile dhe, në fund, negociata politike. Europa duhet ta bëjë zërin e saj të dëgjohet”, tha François Hollande.

Kryeministrja britanike Theresa May e mbështeti apelin e Hollande dhe tha se, Irani e Rusia kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për gjakderdhjen në këtë qytet.

“Ne duhet të sigurohemi që përgjegjësit e këtyre mizorive të japin llogari. Duhet të bëjmë ç’është e mundur që ky armëpushim të mbajë, në mënyrë që Kombet e Bashkuara të kenë mundësinë të largojnë njerëzit e pafajshëm të Aleppos”, tha Theresa May.

Nga sa sqaroi Kancelarja Angela Merkel, në axhendën e samitit do të jenë veç të tjerash, edhe emigracioni dhe marrëdhëniet me Turqinë. Kryeministri grek, Alexis Tsipras do t’u kërkojë krerëve të bllokut t’i japin fund bllokimit të planeve për shpërndarjen e një pjese të 60 mijë azilkërkuesve të ndodhur aktualisht në shtetin helen.

Top Channel