Demarkacioni, Mustafa: Po punojmë që të sigurojmë votat

15/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka ndonjë datë të caktuar, se kur do të procedohet ligji për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mirëpo ka thënë se po punohet që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt.

I pyetur nga gazetarët, Mustafa është shprehur se aktualisht po punohet që të sigurohen votat e nevojshme për kalimin e këtij ligji, në mënyrë që të procedohet para deputetëve. Sipas tij, miratimi i ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi është i nevojshëm jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe sovranitetin e vendit.

“Mund t’iu them se nuk kemi ndonjë datë të veçantë, por po punojmë të sigurohemi se, në momentin që do të shkojmë në Kuvend, t’i kemi votat e nevojshme. Është një vendim tepër i rëndësishëm jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për shënimin e vijës kufitare, që nënkupton sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se duhet të arrijmë të bëjmë votat e nevojshme, të kapërcejmë këtë fazë, e pastaj të merremi me çështje të tjera jetike të vendit”, tha Mustafa.

Ligji për demarkacionin me Malin e Zi është proceduar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, mirëpo për shkak të mungesës së votave nga deputetët për ta votuar atë, është hequr nga rendi i ditës.

Top Channel