Gjuriç, në Kosovë me autoambulancë. MPJ, notë proteste BE-së

15/12/2016 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e ka konsideruar të papranueshme ardhjen e Marko Gjuriç, drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe e ka cilësuar si provokative sjelljen e tij në veri të Kosovës.

Për këtë arsye, MPJ-ja i ka dërguar një notë proteste Bashkimit Europian.

“Hyrja ilegale në Kosovë është kundër marrëveshjes për vizitat e ndërsjellta, të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të aprovohen apo ndalohen nga institucionet e të dyja shteteve të paktën 24 orë më herët. Kjo sjellje është kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson gjithashtu se i ka nisur një notë proteste BE-së dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare, për këtë sjellje të papranueshme të Gjuriçit, si dhe ka koordinuar hapat e mëtejshëm me institucionet përkatëse në Kosovë.

“Kjo përpjekje e tij, i cili u fut në Kosovë duke u maskuar në një autoambulancë, flet për qasjen dëshpëruese që ka vendosur të ndjekë në karrierën politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Top Channel