Igumenicë, sekuestrohen 257 kg kanabis. Në pranga 11 persona

15/12/2016 00:00

Në një operacion antidrogë të zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit në Igumenicë janë arrestuar 11 persona, mes të cilëve 4 shtetas shqiptarë të grupmoshave 33, 36, 40 vjeç, mes tyre një femër 21 vjeç, si dhe 7 shtetas grekë, 20-48 vjeç dhe një femër 19-vjeçare.

Sipas policisë greke, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 257 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 5.300 euro dhe 100 mijë lekë “cash”, 25 celularë të markave të ndryshme, peshore elektronike dhe 35 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Policia thotë se droga kalohej me një gomone pa motor, e cila maskohej si varkë peshkimi.

Lënda narkotike ngarkohej në varkë në afërsi të kufirit shqiptar dhe tranportohej gjatë orëve të natës në zonën Sivota, prej nga ku ngarkohej në makina të marra me qira nga anëtarët e organizatës për në brendësi të kufirit shqiptaro-grek.

Mësohet se Antidroga e Athinës, që ka kryer hetimet, deklaroi se organizata kishte disa pika në aksin Igumenicë-Athinë, ku mbante të fshehura sasi droge, prej nga ku i shpërndante ato në të gjithë Greqinë.

Të arrestuarit u dërguan në Gjykatën e Athinës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel