Që prej shpërbërjes  së kooperativave, Naim Korra në fshatin Pajovë të Peqinit merret më rritjen e gjelave të detit, një punë e mundimshme, por që i siguron të ardhura të kënaqshme. Cdo vit, në prag të vitit të ri, ai ka një tufë që i kalon 200 gjela e pula deti.

“Ne i rrisim me vezë me kos, më pas me misër e tërshërë”, shprehet bashkëshortja e Naimit.

“Këtë vit kilogrami ka shkuar te 8 mijë lekët”, thotë Naimi.

Peqini është i pasur me ullishte ndaj dhe sipas banorëve gjeli i detit këtu është më i shijshëm pikërisht sepse ushqehet me ullinj. Edhe, familja Merko rrit çdo vit rreth 50 gjela deti dhe tregon se shumica e tyre është e porositur që një vit më parë.

“Që prej vitit 1991 merremi me rritjen e gjelave. E kemi si pasjon këtë punë tani”, thotë një qytetar.

“Punë e vështirë shumë është, por ne i rrisim sepse këtu është vendi me ullishte dhe gjelat bëhen më të mirë, më të shijshëm”, shprehet një e moshuar që merret me këtë punë.

Tradita e rritjes së gjelave të detit dhe tregu thuajse i garantuar ka bërë që shumë banorë të fshatrave të Peqinit të kthehen nga emigrimi dhe të ndjekin traditën e të parëve. Vështirë të gjesh në Peqin një familje fshati që nuk merret me rritjen e gjelave të detit.

Top Channel