Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017, do t’i mohohet e drejta e votës një kategorie të caktuar të personave të dënuar, kryesisht për vepra të rënda penale.

Në zbatim të ligjit konsensual të dekriminalizimit, penalizohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë për genocid, vrasje, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, heqje e paligjshme e lirisë, shfrytëzim prostitucioni, vepra me qëllime terroriste, trafikim i narkotikëve dhe armëve, shpërdorim i detyrës dhe korrupsion.

“Do të ngrihet një grup pune së bashku me Drejtorinë e Burgjeve për shkëmbimin e informacionit për personat që janë subjekt i ligjit. Ky ligj detyron edhe gjykatat të na dërgojnë një kopje të vendimeve në mënyrë që të bëjmë ngrirjen e rekordeve zgjedhore”, shprehet drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile, Bledar Doracaj.
Vendimi është i zbatueshëm për personat që do jenë duke vuajtur dënimet për veprat e përcaktuara, në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve.

Nisur nga gama e gjerë e veprave penale që përfshihen, parashikohet që numri i të dënuarve që do t’u hiqet e drejta e votës të jetë rreth 2 mijë persona.

Por ekspertët zgjedhor shprehen kundër këtij vendimi të paprecedentë në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri.

“Ne e shohim në kundërshtim me parimet kushtetuese, duke u bazuar jo vetëm në Konventën e Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe në vendimet e Strasburgut që në shumicë janë shprehur kundër këtij kufizimi. Ka një diskutim dhe praktikë në disa vende, por për natyra të caktuara jo në bllok pasi parashikohen mbi 70 vepra penale apo vetëm se je i burgosur”, shprehet Premto Gogo, koalicioni i vëzhguesve vendorë.

Top Channel