Dako: Lulzim Berishën e njoh si sportist, biznesmen dhe qytetar

15/12/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka reaguar ndaj akuzave të bëra ndaj tij nga Lulzim Basha dhe Ben Blushi për lirimin e Lulzim Berishës, kreu i bandës famëkeqe të durrësit.

Duke theksuar se, janë gjykatat ato që marrin vendime për të dënuarit dhe jo bashkitë, Dako ka deklaruar se akuzat ndaj tij janë një baltosje politike në prag të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga nevoja për zbatimin e ligjit të Vetting-ut.

Në reagimin e tij, Dako ka bërë me dije se, “shkresat e bashkisë për rastin e Lulzim Berishës janë pjesë e një procedure rutinë për administratat bashkiake”.

“Bashës nuk i kujtohet se kjo është një procedurë rutinë e administratave që ne drejtojmë, pasi flinte gjumë kur ishte në bashki. Ndërsa Blushi në 2007-n më falenderonte se shpëtova PS-në, në 2015… I gjithë ky sulm bëhet me një qëllim: për të marrë pushtetin”, ka thënë Dako.

Dako ka sqaruar se, Bashkia e Durrësit ka lëshuar një udhëzim pozitiv për familjen e të dënuarit dhe ka firmosur shkresën për ta pranuar atë për punë komunitare, “nëse gjykata do të vendoste për një dënim alternativ”.

Dako ka shtuar më tej se, Lulzim Berishën e njeh personalisht si sportist, biznesmen dhe qytetar të Durrësit, ndërsa kërkesën e Bashës për shkarkimin e tij e konsideron një përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e gjykatës dhe zbatimin e ligjit të vetting-ut.

Dako ka saktësuar më tej se, gjatë këtij viti në Bashkinë e Durrësit kanë kryer dhe po kryejnë punë vullnetare në komunitet 36 të dënuar, në zbatim të vendimeve të gjyqësorit dhe bazuar në një marrëveshje që kjo bashki ka me Shërbimin e Provës.

Top Channel