Rama: 100 mln $ për rritje rrogash e pensionesh. Paloka: E bëni për vota

15/12/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në seancën e sotme në Kuvend, ku pritet të votohet buxheti i vitit 2017, është shprehur krenar për qeverinë e tij.

Sipas Ramës, kjo qeveri është e para në 25 vjet që vendos një shumë kolosale prej 100 mln dollarësh për rritje pagash e pensionesh dhe kjo, sipas tij, për shkak të rezultatit pozitiv të reformave të ndërmarra.

“Nuk kam asnjë çudi që mbështetja më e madhe financiare për pensionistët, që kurrë më parë nuk janë konsideruar pjesë e marrëdhënies së solidaritetit të fundvitit, për familjet e përmbytura, apo për fermerët që kanë humbur lopët për shkak të epidemisë, juve mund t’ju duket show. Ne jemi në gjendje ta japim këtë mbështetje jo për show, por sepse nuk jemi në gjendjen e gropës së borxheve të tre vjetëve më parë. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë rezultatet e para të reformave me njerëzit dhe t’i vulosim ato me buxhetin 2017”, ka thënë Rama.

Ai ka nënvizuar se, 100 milionë dollarët e vënë në dispozicion për rritje pagash dhe pensionesh do të nisin të shpërndahen në ditët në vijim për të gjithë pensionistët. Megjithatë, Rama është shprehur i vetëdijshëm se edhe kjo është e pamjaftueshme.

“Ndaj e shohim si detyrim që me këtë paketë solidariteti t’u japim mesazhin se i kemi në qendër të vëmendje sonë. Edhe pse nuk i kemi mundësitë plotësisht kemi respektin e shprehur jo me fjalë, por me vepra”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar se familjet në ndihmë ekonomike, “për të cilat ne s’kemi bërë ndonjë çudi”, do të marrin për herë të parë në 25 vjet 20 mijë lekë në fundvit “dhe ky nuk është show”, ka shtuar Rama.

Ndërkohë, paketa që shpalli qeveria u quajt show elektoral nga opozita, e cila tha se po bëhet për blerjen e votave.

“Nuk po bën se papritur u mori shqiptarëve gjithçka dhe po kthen diçka, po e bën sepse vitin që vjen ka zgjedhje. E kupton kushdo që po përpiqet që paratë e shqiptarëve që ke grabitur, që ke futur në buxhet, po me ato para do t’u blejë votat”, tha Paloka. 

Top Channel