Joshua e Klitschko ndezin sfidën në “Wembley”

15/12/2016 00:00

Anthony Joshua dhe Wladimir Klitschko zbritën në fushën e “Wembley”, në prag të perballjes që ata do të zhvillojnë në këtë stadium në muajin prill.

Boksieri britanik, kampion i kategorisë IBF, deklaroi se një fitore e mundshme ndaj ukrainasit do të vendosë emrin e tij në rangun e legjendave të këtij sporti.

Joshua, kampion olimpik në vitin 2012 në peshat super të rënda, i ka fituar të 18 ndeshjet e tij, ku e fundit ishte ajo ndaj amerikanit Eric Molina në Mançester të shtunën e kaluar, sukses ky i arritur në raundin e tretë të sfidës.

Wladimir Klitschko në fund të vitit 2015 humbi titujt në WBA, WBO, IBF dhe IBO kundrejt Tyson Fury. Përpara asaj sfide, ukrainasi nuk njihte humbje për 11 vjet radhazi dhe bilanci i tij është vërtet një rekord, 64 fitore e vetëm 3 disfata. Tyson Fury-t iu hoqën titujt WBA, WBO dhe IBO pasi iu pezullua licenca për shkak të hetimeve ndaj tij për doping dhe problemet shëndetësore.

Klitshko, i cili e ndoqi nga afër sfidën mes Joshua e Molinës, deklaroi se dëshiron me çdo kusht që të rifitojë titujt botërorë dhe se u stërvit shumë për një ndeshje që nuk u zhvillua kurrë, duke iu referuar sfidës së revanshit me Fury.

Top Channel