Shërbimi i dializës, Beqaj në repartin e Beratit: Investim privat

15/12/2016 00:00

Ministri i Shëndetësisë ishte në Berat ku inspektoi nga afër ambjentet ku tanimë do të ofrohet shërbimi i hemodializës. Në fjalën e tij, Beqaj u shpreh se ky është një fryt konkret i bashkëpunimit të institucioneve shtetërore me ato private.

“Praktikisht, ky ishte një investim i iniciuar nga një sipërmarrës privat dhe në kushtet e nevojës që në qarkun e Beratit të shërbejmë sa më pranë njerëzve dhe të shtrëngesave financiare për të investuar rishtaz në spital u shfrytëzua pikërisht kjo mundësi, përsa kohe ne kemi një tarifë unike për çdo seancë dialize të miratuar nga qeveria, pavarësisht nëse ofrohet në spital publik apo në spital jopublik”, deklaroi Beqaj.

Beqaj theksoi se është detyrim i qeverisë që t’iu ofrojë qytetarëve atë shërbim që meritojnë sa më pranë vendbanimit të tyre për të mos humbur kohë për të marrë trajtimin.

“Është detyrimi ynë që t’iu ofrojmë njerëzve atë shërbim që meritojnë, bashkë me përmirësimin e shërbimit të dializës, me shtrirjen e qendrave sa më pranë vendbanimit, me lehtësimin e hallkave buroktratike në sistemin e referimit. Ju praktikisht sot s’keni më nevojë të vini në Tiranë për të marrë recetën me rimbursim, i merrni barnat në spital të Beratit”, tha Beqaj në bashkëbisedimin me qytetarët e pranishëm.

Shërbimi i hemodializës në qytetin e Beratit do t’u vijë në ndihmë 40 pacientëve të këtij qarku, që më parë udhëtonin drejt Fierit, Tiranës, apo edhe jashtë vendit për ta përfituar.

Top Channel