Lirimi i Lul Berishës, Basha: Rama të shkarkojë urgjentisht Dakon

15/12/2016 00:00

Nisur nga lajmet se, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha është liruar me kërkesë të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kryetari i PD, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Në një deklaratë për mediat, ku të pranishëm kanë qenë edhe anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Basha ka theksuar se Dako duhet të bëhet subjekt i një hetimi penal nga prokuroria.

“Këshilltarët dhe deputetët demokratë të Durrësit kanë vendosur t’i kërkojnë kryeministrit Rama shkarkimin e menjëhershëm të Vangjush Dakos, në respekt të Kushtetutës. Gjithashtu, i kërkojmë prokurorit të përgjithshëm të nisë hetimin penal ndaj Vangjush Dakos”, ka deklaruar Basha.

Kreu i opozitës ka nënvizuar se, shoqëritë ku dominon krimi janë shoqëritë ku njerëzit vuajnë dhe kërkojnë rrugën e emigrimit, sikurse po ndodh sot në Shqipëri.

“Njerëzit dhe organizatat kriminale përbëjnë sot një nga shtyllat kryesore ku mbahet qeveria e Edi Ramës. Përditë e më shumë bëhet e qartë se Edi Rama ka humbur kontrollin e institucioneve dhe është bërë vegël e grupeve kriminale. Rama e përdori krimin për të ardhur në pushtet dhe krimi sot po e përdor Ramën për të fuqizuar pushtetin e tij. Të dyja palët funksionojnë në një simbiozë perfekte”, ka vijuar Basha.

Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë gjithë presionin e mundshëm ndaj kryeministrit Rama.

Top Channel