Nis rehabilitimi i fushave sportive në Parkun e Liqenit

15/12/2016 00:00

Parku i liqenit të Tiranës do të jetë një destinacion për të rinjtë e apasionuar pas sporteve. Bashkia ka nisur rehabilitimin e fushave sportive të parkut, duke krijuar më shumë hapësira.

“Jam shumë entuziast që po vijojmë me një tjetër investim të rëndësishëm në parkun e Tiranës, pjesë e masterplanit tonë. Siç e dini, përfunduam me sukses këndin e lojërave, i cili sot është ndoshta investimi që ka pasur më shumë duk në Bashkinë e Tiranës. Kush është prind dhe ka fëmijë, më jep të drejtë, por besoj se edhe gjyshet e gjyshërit, që e kanë parë çfarë suksesi ka pasur këndi i lojërave, bien dakord se e kemi kthyer në funksion real për qytetin të gjithë hapësirën e parkut të Liqenit. Fundjavat janë plot, po ashtu edhe gjatë orëve të ditës, ndaj besoj se rehabilitimi i fushave sportive për të rinjtë dhe adoleshentët e plotësojnë ofertën që Bashkia e Tiranës ka për rekreacionin, argëtimin dhe kohën e lirë në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se për herë të parë në këto fusha do krijohet mundësia për të praktikuar edhe sporte të tjera, përveç atyre tradicionaleve, siç është regbia, ndërsa shtoi se synimi është që parku të jetë i frekuentuar jo vetëm gjatë ditës, por edhe natës, pasi fushat do të jenë të pajisura me ndriçim.

“Do të kemi mundësi që për herë të parë të akomodojmë edhe disa sporte të tjera, si regbi. Për të gjithë të apasionuarit pas futbollit, regbisë, basketbollit e volejbollit do të kenë po këto fusha, por të sistemuara, të ndriçuara, të përdorshme 24 orë në 7 ditët e javës, për t’u siguruar që Tirana është një qytet që fokusohet te sporti dhe shëndeti”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës. Ai tha se ky projekt pritet të përfundojë brenda pak ditëve dhe do të jetë një dhuratë që Bashkia e Tiranës i bën të gjithë të rinjve të qytetit.

Top Channel