Parlamenti francez miraton zgjatjen e emergjencës

15/12/2016 00:00

Dhoma e ulët e parlamentit francez votoi të mërkurën pro zgjatjes së gjendjes së emergjencës në vend deri më 15 korrik 2017 ndërsa Franca mbetet në alarm kundër kërcënimit të sulmeve terroriste.

Ministri i brendshëm, Bruno le Roux, i kërkoi parlamentit të miratojë masën, që mori 288 vota pro dhe 32 kundër. Zgjatja e gjendjes së emergjencës ishte propozuar më 10 dhjetor nga kryeministri i ri i Francës, Bernard Cazeneuve. Partitë politike duan të tregojnë se po reagojnë përballë kërcënimit të sulmeve terroriste ndërsa Franca përgatitet për zgjedhjet presidenciale në 2017.

Franca do të dislokojë më shumë policë dhe ushtarë nëpër rrugë me qëllim që të zprapsë militantët ekstremistë që planifikojnë të godasin gjatë krishtlindjeve dhe vitit të ri. Sipas ministrit të brendshëm, do të ketë më shumë masa mbrojtëse për të garantuar sigurinë gjatë festave të fundvitit, pasi siç thekson ai, kërcënimi është serioz.

Franca mbetet në alarm për sulme të reja, të ndjekësve të shtetit islamik, bazat e të cilit në Siri dhe Irak po bombardohen nga avionët francezë. Grupi xhihadist i ka kërkuar ndjekësve të kryejnë sulme në territor francez.

Gjendja e emergjencës do të përfundonte në mes të janarit ndërkohë që më parë është zgjatur edhe katër herë të tjera. Disa parisienë thonë se ndjehen më të sigurt pas zgjatjes së gjendjes së emergjencës. Pas dhomës së ulët të parlamentit, të enjten, do të jetë senati që do të thotë fjalën e fundit.

Qeveria socialiste shpalli gjendjen e emergjencës që i jep policisë fuqi shtesë, në nëntor të vitit të kaluar, pas sulmeve të militantëve islamikë në Paris, që i morën jetën 130 personave.

Top Channel