“Operacioni Dinamo”, filmi që sjell dramën e Dunkirk

14/12/2016 00:00

Është një episod që ngjall debate akoma edhe sot. Mbrëmjen e 9 majit 1940, forcat gjermane sulmuan vendet e ulëta, rënien e të cilave nuk e parandaluan dot as trupat franceze e as ato britanike.

Aleatet e patën po kështu të pamundur të frenonin avancimin e “panzera”-ve gjermanë përmes Ardene-s në 14 maj. 6 ditë më vonë, ushtarët e rajhut të tretë mbërritën bregun duke i izoluar praktikisht aty kundërshtarët e tyre.

Nëse gjermanët do të kishin sulmuar në atë moment në Dunkirk, ushtria britanike do të kishte marrë një goditje dërrmuese, ndërsa ajo franceze, do të asgjësohej plotësisht. Por Adolf Hitleri urdhëroi gjeneralin e tij General Gerd von Rundstedt, që ta frenonte sulmin.

380.000 ushtarë britanikë dhe francezë u evakuuan nga 27 maji deri në 3 qershor të 1940-s sa me luftanije, aq edhe me mjete të tjera lundruese që përfshinin deri dhe varkat turistike.

Shpëtimi i këtyre njerëzve, qe për Winston Churchilli-n një mrekulli, ka tërhequr vëmendjen e regjisorit Christopher Nolan. Filmi i fundit i tij “Operacioni Dinamo”, rrëfen dramën e atyre ditëve. Pavarësisht humbjeve të mëdha, operacioni qe një sukses.

Në krah të Tom Hardy-t dhe Mark Rylance, debuton në këtë film edhe Harry Styles i grupit muzikor “One Direction”.

Arsyet e vendimit të çuditshëm të Hitlerit mbeten një subjekt diskutimesh. Një pjesë mendojnë se ky gjest “sportiv” kishte për qëllim joshjen e Anglisë në bisedime me Gjermaninë. Të tjerë thonë se donte t’ua bënte të qartë gjeneralëve të vet se ishte ai që komandonte, ndërsa ka dhe nga ata që ndajnë bindjen se lideri nazist, dyshonte për një kurth.

Top Channel