“Salafistët në Gjermani, mbështetje nga shtetet e Gjirit Persik”

14/12/2016 00:00

Autoritetet gjermane dyshojnë se grupe fetare nga shtetet e Gjirit Persik i mbështesin salafistët në Gjermani me aprovimin e qeverive të tyre.

Mediat vendase thonë se Arabia Saudite, Kuvajti dhe Katari janë ato që ofrojnë përkrahje gjithmonë e më të madhe për një interpretim fondamentalist të fesë islame.

Organizata fetare nga të treja këto shtete, sipas “Suddeutsche Zeitung”, kanë dërguar predikues në Gjermani e kanë financuar edhe ndërtimin e shkollave dhe xhamive. Në skenën salafiste të Gjermanisë përfshihen rreth 9200 vetë, por Ekzekutivin gjerman e shqetëson fakti që veprimtaria misionare e tyre mund të dalë jashtë kuadrit të paracaktuar të saj. Përpos kësaj, ekziston dhe rreziku që këto grupe të të luajnë një rol në radikalizimin e refugjatëve sunitë.

Berlini zyrtar i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë saudite të ndalojë së mbështeturi grupet radikale islamike në Gjermani. Rijadi i përshkruan organizmat fetare të tij si “kështjella” kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”. Por ndonëse ai këmbëngul se organizatat fetare janë të pavarura, shërbimet informative gjermane kanë arritur në përfundimin se këto grupe “janë të lidhura ngushtë me poste shtetërore në vendet e tyre të origjinës, ndonëse nuk gjejnë prova të cilat të lënë të kuptohet se organizmat në fjalë mbështesin “struktura të dhunshme salafiste dhe rrjetet e tyre”.

Top Channel