Beteja për Alepon, civilët në mes të luftimeve

14/12/2016 00:00

Bombardimet në lindje të Alepos e shembën armëpushimin ende pa nisur mirë.

Vdekje raportohen nga të dyja krahët e gati 50.000 civilë besohet të kenë mbetur të bllokuar në zonat e qytetit, ku kontrollin vazhdojnë ta kenë rebelët edhe pse Rusia një ditë më parë e trumbetoi me të madhe marrjen e tyre.

Turqia, ndërmjetësuesja e marrëveshjes dhe aktivistët në terren, e drejtojnë gishtin e fajit tek regjimi dhe forca të tjera, përgjegjëse sipas tyre, për dështimin e nismës që nuk zgjati dot as edhe një ditë.

“Po shpresonim në evakuimin e civilëve dhe forcave opozitare nga pjesa lindore e Alepos, por fatkeqësisht, raketat ia nisën përsëri. Jemi duke e ndjekur situatën nga afër e për këtë çështje do të diskutoj edhe me Presidentin Putin”, shprehet Erdogan, President i Turqisë.

“I bëjmë thirrje Rusisë të ushtrojë presion mbi Iranin apo Asadin për hapjen e një korridori të ndihmës humanitare me qëllimin që ajo të mbërrijë tek civilët. Kërkojmë gjithashtu të asistohen të gjithë ata që duan të largohen nga Alepo, por s’po ia dalin dot”, tha Bulent Yildirim, shef i agjencisë turke të ndihmës, IHH.

Trupat e regjimit hynë në 27 nëntor në Alepon e rrënuar nga lufta dhe vetëm brenda dy javësh, arritën të vënë nën kontrollin e tyre pjesën dërrmuese të tij. Sipas Erdoganit, është mëse e qartë se pushimzjarrin e shkeli qeveria siriane.

Turqia nuk do ta braktisë popullin e Alepos, u shpreh ai. Grupi i parë i personave që supozohej të largoheshin, përbehej nga 150 vetë, gjysma e të cilëve ishin të plagosur. Përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja amerikane, Samantha Poëer i rezervoi fjalë të ashpra homologëve sirianë, iranianë e rusë.

“Ju mbani përgjegjësi të plotë për mizoritë në Alepo”, tha ajo duke iu referuar raporteve për ekzekutime shtëpi më shtëpi.

“Me sa duket, ju mungon aftësia të përjetoni ndjenjën e turpit. Por kur të vijë dita që të verifikohen krimet e kryera në Alepo dhe herët a vonë, ajo ditë do të vijë, nuk do të thoni dot se nuk e dinit çfarë po ndodhte në atë qytet”, u shpreh ambasadorja. Sipas OKB-së, sulmet e fundit në Alepo, mund të përbejnë krim lufte.

Top Channel