Vrasja e Gazmend Çollakut, Prokuroria: Autorë, Shtraza dhe Dalipaj

14/12/2016 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjykim dy persona të dyshuar se kanë rrëmbyer e torturuar fizikisht, duke i shkaktuar vdekjen Gazmend Çollakut, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 7 janar në një fshat të Krujës.

Krimet e Rënda akuzojnë ish-oficerin e policisë Ervin Dalipaj dhe shtetasin Denis Shtraza për “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit”, “tortura fizike me pasojë vdekjen”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.

Ndërkohë, burimet shtojnë se është veçuar dosja për persona të tjerë që dyshohen si bashkëpunëtorë dhe për të cilët hetuesit e shikojnë të domosdoshme mbledhjen e provave për të vërtetuar përfshirjen në këtë krim.

Bëhet e ditur se hetuesit dyshojnë se vrasja e Çollakut ka lidhje me motive hakmarrjeje për shkak të një atentati të mëparshëm të organizuar ndaj Denis Shtrazës, ndërkohë që janë radhitur edhe ngjarje të tjera të ndodhura në Durrës.

Sipas prokurorisë, Çollaku u rrëmbye më datë 6 janar nga katër persona të maskuar si oficerë policie dhe një ditë më pas trupi i tij u gjet i lidhur këmbë e duar dhe me plumb në kokë në fshatin Murqin të Krujës.

Sipas prokurorisë, akt-ekspertimet laboratorike tregojnë se disa njolla gjaku të gjetura në automjetin e ish-oficerit të policisë Ervin Dalipaj janë të njëjta me gjurmët e gjakut të konstatuara në fashetat me të cilat ishte lidhur viktima.

Dalipaj aktualisht është në kërkim, në kuadër të një mase të shpallur nga Krimet e Rënda, ndërsa Denis Shtraza mbahet në paraburgim me masën e arrestit me burg.

Top Channel