Spanjë, Gjykata e Madridit bllokon referendumin katalanas

14/12/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese në Spanjë ka pezulluar në formë parandalimi rezolutat e miratuara në tetor nga parlamenti rajonal i Barcelonës, për mbajtjen në vitin 2017 të një referendumi mbi pavarësinë e Katalonjës.

Sipas edicionit online të gazetës “El Pais”, ky vendim ka qenë një paralajmërim për presidentin katalanas Carles Puigdemont dhe kryetaren e Parlamentit, Carme Forcadell për pasoja të mundshme, edhe penale, nëse nuk respektojnë urdhërin e pezullimit.

Gjykata i ka dhënë 20 ditë kohë qeverisë dhe parlamentit katalanas për të transmetuar argumentet e tyre në kuadër të vendimit përfundimtar që pritet të vijë në fillim të vitit 2017.

Përgjigjia e Madridit vjen me kërkesë të qeverisë spanjolle, që kundërshton çdo nxitje për pavarësi të rajonit. Parlamenti katalanas, ku deputetët pro-ndarjes kanë shumicën, u shpreh në tetor për mbajtjen e një referendumi për pavarësinë nga gjysma e vitit 2017.

Piudgemont, i zgjedhur në fund të vitit të kaluar president i Katalonjës, ka konfirmuar objektivin e tij për të arritur pavarësinë, pavarësisht kundërshtimin e ashpër nga qeveria spanjolle, që e konsideron këtë nismë si jokushtetuese.

Në javët e fundit, qeveria e re e kryeministrit Mariano Rajoy është përpjekur të rinisë dialogun me institucionet katalanase, duke ia besuar procesin zëvendësit të tij, Soraya de Santamaria.

Top Channel