LSI: Të pezullohet projekti për laboratorët spitalorë

14/12/2016 00:00

Grupi Parlamentar i LSI-së ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për pezullimin e financimit nga buxheti i vitit të ardhshëm të projektit të partneritetit publik-privat për laboratorët spitalorë.

Në kërkesën e dorëzuar nga kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili renditen edhe arsyet.

Së pari, thotë LSI, kompania private që ka kontaktuar Ministria e Shëndetësisë për konsulencë ende nuk ka dalë me një përfundim të plotë dhe të detajuar për këtë.

“Kompania përkatëse është ende në proces të diskutimit të detajve përfundimtare që lidhen me projektin, gjë të cilën ministri e ka bërë publike në dëgjesën e organizuar në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë”, thuhet në kërkesën e LSI-së.

Së dyti, LSI thotë se edhe vetë opinioni i kompanisë ka karakter këshillimor, ndërsa së treti kërkohet që në buxhetin e shtetit të miratohen për financim vetëm projekte për të cilat vlerësimi dhe procedurat e miratimit zyrtar janë përfundimtare, e sipas LSI-së, në rastin e laboratorëve kjo nuk ka ndodhur.

Për të treja këto arsye, LSI propozon që fondet e përcaktuar për laboratorët të rialokohen brenda të njëjtit program për projekte të tjera sipas vlerësimit të vetë Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa sa u takon laboratorëve, kërkohet që financimi të shihet si mundësi gjatë vitit 2017.

Top Channel