Hëna ‘fsheh’ energjinë e së ardhmes

14/12/2016 00:00

Në eksplorimin e hapësirës, Kina ndoshta nuk ka kapacitetet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por ambiciet i ka njësoj me to.

Pekini është duke i dhënë dorën e fundit projektit për të dërguar njeriun sërish në Hënë dhe jo thjesht për të bërë disa hapa, por për të sjellë prej andej materiale të rëndësishme që mund ta shndërrojnë vendin aziatik në superfuqinë botërore të energjisë.

Synimi i misionit është ngritja e një galerie miniere në sipërfaqen e satelitit tonë të vetëm natyror.

Hëna është e pasur me isotopet Helium-3, një substancë e rrallë në Tokë dhe tepër e me vlerë për sigurinë e centraleve energjitike bërthamore. Gjithashtu, këto isotope mund të përdoren edhe si karburant për anijet kozmike dhe në të tjera fusha ku kërkohet një energji e madhe.

Sesa vlerë ka Helium-3 mjafton të përmendet fakti që një ton i këtij materiali kushton rreth 1 miliardë dollarë në tregun aktual, ndërkohë që është provuar që vetëm pak metra nga sipërfaqja e saj, Hëna ruan me tonelata nga kjo substancë.

Si pjesë e këtij misioni, Kina dërgoi në vitin 2013 një sondë në sipërfaqen e Hënës, ndërsa në muajt e ardhshëm synon të dërgojë atje një robot për të sjellë në Tokë mostra nga sipërfaqja e Hënës. 

Top Channel