Korabi ndal edhe Kukësin, fitojnë Luftëtari e Laçi

14/12/2016 00:00

Kukësi është ndalur nga Korabi i vendit të fundit në kategorinë Superiore në një barazim 1-1.

Pas Tiranës, Korabi i drejtuar tashmë nga Gerd Haxhiu arriti të marrë 1 pikë edhe në ndeshjen e kësaj jave ndaj vendit të parë në renditje, Kukësit, në takimin e zhvilluar në stadiumin “Zeqir Ymeri”.

Gavaz shënoi i pari në këtë ndeshje në fundin e pjesës së parë duke kaluar në avantazh Korabin, por me të nisur 45 minutat e dyta Lushtaku barazoi rezultatin në 1-1 duke krijuar idenë se goli i parë i Korabit ishte një rastësi, por nuk rezultoi kështu.

Udhëheqësit e renditjes bënë të gjitha përpjekjet për të shënuar sërish, por për ta ishte e pamundur të mposhtnin portierin e Korabit. Për t’u theksuar është fakti që Korabi luajti më shumë se 40 minuta me një lojtar më pak, pas daljes me kartonin e kuq të Spahisë, por sërish edhe ky fakt nuk e ndihmoi Kukësin të gjente golin e avantazhit.

Ndërkohë, Luftëtari vazhdoi ecurinë pozitive në Superiore, duke fituar minimalisht 1-0 ndaj Teutës, me gol të Bregut.

Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Laçi ndaj Vllaznisë. Autor i golit të vetëm për laçianët ishte Aquino në minutën e 43.

Top Channel