Gentiloni fiton votëbesimin në Senat. 169 pro, 99 kundër

14/12/2016 00:00

Pas votëbesimit të parë në Dhomën e Deputetëve, me 368 vota pro dhe 105 kundër, Paolo Gentiloni ka marrë këtë të mërkurë edhe votëbesimin në Senat, aty ku siguroi 169 vota pro dhe 99 kundër.

Në sallën e Pallatit “Madama”, kryeministri i ri italian hyri duke kërkuar një besim “disi të veçantë” ndaj “qeverisë së përgjegjshmërisë”.

“Kërkoj votëbesimin tuaj, teksa shpreh besimin tim për Senatin”, ka thënë mëngjesin e kësaj të mërkure kreu i ekzekutivit italian, duke pretenduar se ndante qëndrim plotësisht të ngjashëm për reformën kushtetuese, e cila u hodh poshtë nga italianët në referendumin që i kushtoi postin edhe kryeministrit të dorëhequr Matteo Renzi, megjithëse gjendej përballë një Senati që vazhdonte të kishte funksionet e tij të plota.

Në votim nuk morën pjesë “Ala” dhe “Lega”, ndërsa “Lëvizja 5 Yjet” ka votuar kundër. Qeveria e Matteo Renzit, më 25 shkurt të vitit 2014 mori votëbesimin e Senatit me të njëjtin numër votash në favor.

Senatorët e “5 Yjeve”, gjatë argumentimeve për votën “kundër” në këtë proces votëbesimi, kanë shfaqur në sallë pankarta me shënimin “20 milionë Jo”.

Sa u përket votave, presidenti i nderit i Republikës dhe senatori i përjetshëm, Giorgio Napolitano ka votuar pro, sikurse edhe “kolegu” i tij Mario Monti. Ndërsa në votim nuk ka marrë pjesë, në kundërshtim me grupin e tij, Maurizio Sacconi.

Top Channel