Krijohet Aleanca e Këshilltarëve të Rinj

14/12/2016 00:00

Është krijuar “Aleanca e Këshilltarëve të Rinj të Tiranës”, anëtarët e së cilës i përkasin të gjitha forcave politike në vend.

Kjo aleancë synon të mbështese të rinjtë e kryeqytetit në zgjidhjen e problemeve të tyre sociale duke i adresuar ato në Këshillin Bashkiak, por dhe fuqizimin ekonomik të tyre.

“Shpresoj shumë që ju së bashku të jeni një zë progresi, modern dhe etik në Këshill. Fakti që Aleanca është me përfaqësimin e të gjitha grupeve politike në Bashkinë e Tiranës është për t’u inkurajuar. Një kryeqytet si Tirana, që ka të rinj fantastikë, ka edhe mundësi të jashtëzakonshme për të dhënë ide dhe për të kontribuar. Këtë mundësi ju e keni si këshilltarë për të bërë propozime konkrete larg zhurmës politike, por me dëshirën për ta parë qytetin tuaj më mirë”, deklaroi kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.

Kjo aleancë është krijuar në bashkëpunim me kryetarët e forumeve politike rinore në vend, të cilët kanë punuar për afër gjashtë muaj për krijimin e Aleancës së Këshilltarëve të Rinj të Tiranës.

Top Channel