Industria e naftës, ligji i ri ndalon shitjen e kuotave për arsye të sigurisë kombëtare

14/12/2016 00:00

Qeveria forcon kontrollin mbi marrëveshjet hidrokarbure, duke shtuar në ligj mundësinë e refuzimit nga ana e saj të transferimit të kuotave për arsye të sigurisë kombëtare.

Kjo synon të pengojë që kompani spekulante apo me aktivitet të dyshimtë të marrin në zotërim pjesë të pasurisë kombëtare.

“Shteti ka një rol që në raste përjashtimore, shumë të rralla, që janë të drejta të rëndësishme për ekonominë e vendit, të kalojnë në duart e një kompanie me një interes të caktuar. Duke respektuar konceptin e sigurisë kombëtare i jepet mundësia të luajë një rol pengues për transferime të caktuara që na cenojnë ose influencave të caktuara”, deklaroi Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele.

Kompanive që operojnë në këtë sektor po ashtu u garantohet stabilitet fiskal nga pa afat që e kanë aktualisht, në 12 vite nga fillimi i prodhimit. Qeveria thotë se kjo vendos shtetin në pozitë më të favorshme kundrejt kompanive, që deri më tani detyrohej t’i kompensonte përgjatë gjithë jetëgjatësisë së kontratës.

“7 vjet eksplorim plus 3 vjet vlerësim nëse do kërkohet dhe 12 vjet periudha e stabilitetit fiskal”, vijoi Bele.

Ligji i ri parashikon ringritjen e Institutit Shkencor të Hidrokarbureve  për të ndihmuar në rritjen e kompetencës në industrinë hidrokarbure.

Top Channel