Diferencimi i mbeturinave, banorët e Tiranës respektojnë ndarjen

14/12/2016 00:00

Diferencimi i mbetjeve nuk ka qenë në kulturën tonë. Por me vendosjen e kazanëve të tillë, ku plastika, qelqi dhe të tjera materiale të riciklueshme duhen hedhur në një kazan të posaçëm dhe mbetjet e tjera në një tjetër, duket se po nis të respektohet edhe nga kryeqytetasit.

Kjo vihet re nga sasia e mbeturinave që gjenden nëpër kazanë.

“Të them të drejtën dje kur hodha mbeturinat nuk ishin vënë kazanët. Sot i ndava me dorë, sepse më tha zotëria sesi hidheshin mbeturinat e diferencuara dhe e zbatova. Që nesër do të filloj me diferencimin që në shtëpi”, tha një grua e moshuar.

Edhe një çift i rastësishëm të moshuarish lexuan me kujdes, përpara se të hidhnin mbeturinat. Por ka të tjerë që ende nuk e dinë se diferencimi i mbetjeve duhet bërë që në shtëpi.

“Jemi nënë e bijë, dolëm nga një shtëpi dhe i kishim mbetjet të ndara. Një pjesë e mbante ajo, një pjesë unë për shkak të peshës”, thotë zonja.

Por në rrugët e kryeqytetit gjen ende mbeturina të lëna jashtë koshit, të lëna nga ata që nuk i kanë diferencuar më parë në shtëpi, duke i rënë shkurt.

Vendosja e kazanëve të rinj të mbyllur ka nisur prej dy ditësh nga ndërmarrja “Eco Tirana” dhe në rrugët që vendosen për herë të parë qëndrojnë edhe të rinj, të cilët mësojnë qytetarët sesi të bëjnë diferencimin e mbetjeve që në shtëpi, e po në këtë mënyrë t’i hedhin ato në kazanët përkatës.

Top Channel